Faqja e parë Rreth nesh Seria BFS Librat e Botuar Titujt e Serisë BFS Libraritë Links
Për ta lexuar këtë faqe pa qenë të lidhur me internetin, klikoni
File, Save As,
dhe vendoseni në një direktori ku mund ta gjeni lehtë.
Parathënia e autorit
Predikimi
në Mal ka një magjepsje të veçantë sepse duket sikur prezanton thelbin e mësimit
të Jezusit. Ai e bën tërheqëse të mirën, na bën me turp për dështimin
tonë dhe zgjon ëndërrat për një botë më të mirë. Siç
tha John Donne në një predikim të bërë gjatë kreshmëve të mëdha në
1629, me një hiperbolë të vogël të justifikueshme: "Të gjitha
doktrinat e fesë sonë, të gjitha kanunet e Kishës, të gjithë urdhërat e
princave tanë, të gjitha predikimet e etërve tanë, e gjithë teologjia,
gjenden në këto tre kapituj, në këtë Predikim në mal" (Cituar nga
McArthur, f.12). Unë
duhet të pranoj se edhe unë vetë kam rënë në magjepsjen e tij, ose më mirë,
në magjepsjen e atij që e predikoi atë. Të paktën për shtatë vitet e
fundit kam menduar vazhdimisht rreth tij. Si pasojë mendja ime është përballuar
me problemet e tij dhe zemra ime është mbushur plot zjarr nga fisnikëria e
idealeve të tij. Gjatë kësaj periudhe unë jam përpjekur të ndaj mendimet e
mia me studentët e Universitetit të Kembrixhit, me grupe të tjera studentësh
në Amerikë dhe Kanada, me bashkësinë e të Gjithë Shpirtrave, Langham Place
dhe me ata mijëra shtegtarë të zellshëm që erdhën nga e gjithë bota në
Kongresin e Keswick-ut, 1972. Sigurisht
që mbi Predikimin në Mal janë shkruar me qindra komentarë. Unë kam patur
mundësi të studioj rreth njëzet e pesë prej tyre dhe detyrimi im ndaj
komentuesve do të jetë i dukshëm për lexuesin. Në të vërtetë teksti im
është mbushur me citime nga veprat e tyre, sepse unë mendoj se ne duhet t'i
vlerësojmë më tepër dhe të tregojmë më shumë përulje ndaj mësuesve tanë. Ky zbërthim, duke qënë në përputhje me të gjithë serinë "Bibla flet sot", ka për qëllim të dëgjojë me kujdes tekstin. Unë kam dashur mbi të gjitha ta lë ata të flasë, ose më mirë të lë Krishtin ta thotë atë përsëri, dhe t'i flasë botës moderne. Kështu unë kam kërkuar të përballohem me ndershmëri me dilemat që ngre Predikimi për të krishterët e sotëm, dhe jo t'i shmang ato. Por Jezusi nuk na dha një traktat akademik vetëm me qëllimin e thjeshtë për të na nxitur mendjen. Unë besoj se ai donte që njerëzit t'i bindeshin Predikimi në Mal. Në të vërtetë, në qoftë se kisha do t'i kishte pranuar me realizëm standartet dhe vlerat e tij siç janë parashtruar këtu, dhe të kishte jetuar sipas tyre, atëherë ajo do të ishte shoqëria alternative që kishte ndërmend ai, dhe do t'i ofronte botës një kundër-kulturë autentike të krishterë. Unë
i jam tepër mirënjohës John Maile, pedagog në Kolegjin Spurgeon, Londër, i
cili lexoi dorëshkrimin dhe bëri disa sugjerime të vlefshme, dhe Frances
Whitehead dhe Vivienne që e shtypën atë. John R. W. Stott
Mateu 5:1, 2 Hyrje: Ç'është ky
predikim? Predikimi
në mal është ndoshta pjesa më e njohur e mësimeve të Jezusit, edhe pse
mund të thuhet se ky predikim është kuptuar më pak se mësimet e tjera dhe
sigurisht që edhe bindja ndaj tij është më e pakët. Ai është më pranë
një manifesti që predikoi Jezusi, sepse është pasqyrimi i tij se si donte që
të ishin ndjekësit e tij dhe çfarë duhet të bënin ata. Unë nuk mund të
gjej dot një përmbledhje më të mirë të qëllimit të tij se shprehja
"Kundërkultura e krishterë". Më lejoni t'ju them përse mendoj
kështu. Vitet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore (1945) u dalluan për një
idealizëm naiv. Ankthi i tmerrshëm kishte kaluar. Rindërtimi ishte qëllimi
universal. Gjashtë vitet e shkatërrimit dhe shkretimit i takonin së kaluarës.
Detyra e tanishme ishte ndërtimi i një bote të re të mirëkuptimit dhe paqes.
Por vëllai binjak i idealizmit është zhgënjimi; zhgënjimi nga ata që nuk
kanë të njëjtin ideal ose (më keq) që e kundërshtojnë dhe (akoma më keq)
nga ata që e tradhëtojnë atë. Dhe zhgënjimi nga realiteti vazhdon ta ushqejë
idealizmin për të menduar si mund të ishte ky realitet. Ne duket se kemi kaluar përmes dekadash të tëra zhgënjimi. Çdo brez
i ri është i pakënaqur me botën që ka trashëguar. Disa herë reagimi ka qënë
naiv, por kjo nuk do të thotë se ka qënë i pasinqertë. Tmerret e Vietnamit
nuk u mbyllën nga ata që dhanë lule dhe shkruan parrullën e tyre "Mos
sillni luftë, por dashuri". Megjithatë protesta e tyre nuk kaloi pa u vënë
re. Të tjerë sot nuk po e pranojnë kamjen lakmitare të perëndimit, e cila
duket se po shtohet më tepër nëpërmjet ndotjes së ambientit, shfrytëzimit
të vendeve në zhvillim, apo të të dyjave së bashku. Ata e shfaqin plotësinë
e kundërshtimit të tyre duke bërë një jetë të thjeshtë, pa i kushtuar rëndësi
të veçantë veshjes, duke ecur zbathur dhe duke shmangur shpenzimet e kota. Në
vend të shtirjes së borgjezisë në sytë e njerëzve, ata janë të etur për
marrëdhënie të vërteta dashurie. Ata përçmojnë edhe materializmin jofetar,
edhe konformizmin fetar, sepse ndjejnë ekzistencën e një "realiteti"
shumë më të thellë se këto vogëlsira, dhe e kërkojnë këtë dimension të
pakapshëm "transhendental" nëpërmjet meditimit, drogës ose seksit.
Ata e urrejnë idenë e rendjes së pandërprerë pas pasurisë dhe mendojnë se
është më e ndershme të mos marrin pjesë në sistemin ekonomik. E gjithë
kjo është simptomë e pamundësisë së brezit të ri për t'iu përshtatur
realitetit ekzistues dhe kulturës mbizotëruese. Ata nuk ndjehen rehat, ndaj
dhe janë armiqësuar me të. Dhe në kërkimin e tyre për një rrugë tjetër, fjala që përdorin është
"kundër-kultura". Ajo shpreh një rang të gjerë idesh dhe idealesh,
eksperimentesh dhe qëllimesh. Dokumentacion i mirë është dhënë nga
Theodore Roszak te "Krijimi i një Kundër-Kulture" (1969), nga Os
Guinnes te "Hiri i Vdekjes" (1973) dhe nga Kenneth Leech te "Lëkundje
Rinore" (1973). Në një farë mënyre të krishterët e shohin këtë kërkim për një
kulturë alternative (tjetër) si një nga shenjat më shpresëdhënëse dhe
nxitëse të kohës. Ne shohim në këtë gjë veprimin e Frymës së Shenjtë,
i cili është shqetësues para se të jetë ngushëllues dhe ne e dimë se
drejt kujt do t'i çojë kërkimi i tyre, në qoftë se kjo do të bëhet
realitet. Është me të vërtetë e rëndësishme se kur Theodore Roszak kërkon
fjalët për të shprehur realitetin që po kërkon rinia e sotme, siç është
e armiqësuar nga insistimi shkencor drejt "objektivitetit", ai
ndjehet i detyruar t'u drejtohet fjalëve të Jezusit: "Çfarë
do të përfitonte njeriu në qoftë se fitonte gjithë botën, por humbiste
shpirtin e tij?" (Krijimi i një Kundër-Kulture; Anchor Books,
Doubleday, 1969, f. 233) Megjithatë, së bashku me shpresën që frymëzon te të krishterët kjo
gjendje proteste dhe kërkese, ka gjithashtu (ose duhet të ketë) edhe një
ndjenjë turpi. Arsyeja është se edhe pse rinia e sotme po kërkon gjëra të
mira (të gjejë kuptimin e jetës, paqen, dashurinë, vërtetësinë), ajo po i
kërkon këto gjëra në vende të gabuara. Vendi i parë ku duhet të kenë
mundësinë për t'u drejtuar, d.m.th. kisha, është vendi që ata zakonisht
nuk e marrin parasysh. Shpesh herë ata e bëjnë këtë gjë sepse ajo që
shohin në kishë nuk është "Kundër-Kultura" por konformizmi, jo një
shoqëri e re që mishëron idealet e tyre por një version i shoqërisë së
vjetër që ata e kanë braktisur, jo jeta por vdekja. Ata do ta mbështetnin
sot pa ngurim atë që tha Jezusi për një kishë në shekullin e parë: "Ti
ke emrin se je e gjallë, por je e vdekur" (Zbu 3:1). Është e domosdoshme që ne jo vetëm të shohim por edhe të ndiejmë përmasat
e kësaj tragjedie. Për aq kohë sa kisha i përshtatet botës dhe të dy komunitetet i lënë kalimtarit përshtypjen se janë vetëm dy versione të së
njëjtës gjëje, kisha do të qëndrojë në kontradiktë me identitetin e saj
të vërtetë. Nuk ka koment më të dhimbshëm për të krishterët se fjalët:
"Ti nuk ndryshon aspak nga të tjerët". Tema kryesore e të gjithë Biblës që nga fillimi deri në fund është
se qëllimi historik i Perëndisë është të thërrasë një popull për veten
e tij, që ky popull të jetë një popull i shenjtë, i veçuar nga bota për
t'i takuar atij dhe për t'iu bindur atij. Dhe thirrja e këtij populli është
të përmbushë identitetin e tij, d.m.th. të bëhet i shenjtë ose "i
ndryshëm" në të gjithë pikpamjen dhe në sjelljen e tij. Kjo është mënyra si i foli Perëndia popullit të Izraelit menjëherë
pasi i kishte çliruar ata nga skllavëria egjiptiane dhe e kishte bërë
popullin e tij me anë të besëlidhjes: "Unë
jam Zoti, Perëndia juaj. Nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Egjiptit,
ku keni banuar, dhe nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Kanaanit ku po ju
çoj; ju nuk do të ndiqni zakonet e tyre. Do të zbatoni dekretet e mia dhe do
të respektoni statutet e mia, duke iu përmbajtur atyre. Unë jam Zoti, Perëndia
juaj" (Lev 18:1-4). Duhet të kujtojmë se kjo thirrje, që Perëndia i
drejtoi popullit të tij, fillon dhe mbaron me pohimin se Ai ishte Zoti, Perëndia
i tyre. Ai ishte Perëndia i tyre i besëlidhjes, dhe ata ishin populli i Tij i
veçantë, prandaj ata duhej të ishin të ndryshëm nga kushdo tjetër. Ata
duhet të ndiqnin urdhërimet e tij dhe të mos udhëhiqeshin nga standartet e
popujve që ishin përreth tyre. Përgjatë shekujve që pasuan populli i Izraelit e harroi vazhdimisht qënien
e tij is populli i zgjedhur i Perëndisë. Edhe pse në fjalët e Balamit ata
ishin "një popull që banon i vetëm
dhe që nuk e fut veten midis popujve të tjerë", në praktikë ata
vazhdimisht lejuan të asimiloheshin nga popujt përreth tyre: "Ata u përzienë me popujt e tjerë dhe mësuan të bënin siç bënin
ata" (Num 23:9). Kështu ata kërkuan të drejtoheshin nga një mbret për
t'u bërë "si gjithë popujt e tjerë".
Kur Samueli protestoi duke iu kujtuar se Perëndia ishte mbreti i tyre, ata u
treguan kokëshkretë në këmbënguljen e tyre: "Jo, do të kemi një mbret mbi ne. Kështu do të jemi dhe ne si gjithë
kombet" (1 Sam 8:5, 19, 20). Por më e keqe se vendosja e monarkisë
ishte idhujtaria e tyre. "Ne jemi si
kombet, si familjet e vendeve të tjera, që i ngrenë kult drurit dhe gurit"
(Eze 20:32). Prandaj Perëndia iu dërgoi profetët që t'u kujtonin se kush
ishin dhe t'u kërkonin që të ndiqnin rrugën e tij. Perëndia u tha atyre nëpërmjet
Jeremias: "Mos e mësoni rrugën e
kombeve" dhe nëpërmjet Ezekielit: "Mos e ndotni veten me idhujt e Egjyptit; Unë jam Zoti, Perëndia juaj"
(Eze 20:7). Por populli i Perëndisë nuk donte ta dëgjonte zërin e Tij dhe
arsyeja e veçantë për gjykimin që Perëndia i bëri fillimisht Izraelit dhe
150 vjet më vonë Judës, ishte e njëjtë: "Bijtë
e Izraelit kishin mëkatuar kundër Zotit ... dhe kishin ndjekur zakonet e
kombeve ... As Juda nuk i respektoi urdhërimet e Zotit, Perëndisë së tij,
por ndoqi zakonet e futura nga Izraeli" (2 Mbr 17:7, 8, 19). I gjithë ky sfond është tepër i rëndësishëm për të kuptuar
Predikimin në Mal. Te Ungjilli i Mateut Predikimi gjendet në fillim të shërbimit
publik të Jezusit. Menjëherë pas pagëzimit dhe tundimit, ai kishte filluar të
shpallte lajmin e mirë se mbretëria e Perëndisë, që ishte premtuar shumë
kohë më parë në DhV, tani ishte shumë pranë. Ai vetë kishte ardhur për
ta inaguruar atë. Me të ishte afruar epoka e re dhe sundimi i Perëndisë
kishte hyrë në historinë njerëzore. Ai tha: "Pendohuni
se po afrohet mbretëria e Perëndisë" (Mt 4:17). Në të vërtetë
"Ai shkoi në të gjithë Galilenë
duke dhënë mësim në sinagogat e tyre dhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë"
(v.23). Prandaj Predikimi në Mal duhet të shikohet në këtë kontekst. Ai përshkruan
pendimin (metanoia, ndryshim i plotë
i të menduarit) dhe drejtësinë që i përket mbretërisë. Kjo do të thotë
se ai përshkruan se si do të jetë jeta dhe shoqëria njerëzore nën sundimin
hirplotë të Perëndisë. Por si do të duken ato? Ndryshe! Jezusi theksoi se ndjekësit e vërtetë
të tij, qytetarët e mbretërisë së Perëndisë, duhet të ishin plotësisht
të ndryshëm nga të tjerët. Ata nuk duhet të ecnin mbas njerëzve përreth
tyre, por mbas tij, dhe kështu të tregonin se ishin bij të vërtetë të Atit
qiellor. Për mua çelësi i Predikimit në Mal është te 6:8 : "Mos
u bëni si ata". Kjo na kujton menjëherë fjalët që Perëndia i
drejtoi Izraelit në kohët e hershme : "Nuk
do të bëni siç bëjnë ata" (Lev 18:3). Është e njëjta thirrje për
të qënë të ndryshëm nga bota. Kjo temë shtjellohet gjatë gjithë
Predikimit në Mal. Karakteri i tyre duhet të jetë shumë i dallueshëm nga ai
i admiruar nga bota (Lumturitë). Ata duhet të ndriçojnë si drita në errësirën
e thellë. Drejtësia e tyre duhet t'ia kalojë asaj të skribëve dhe
farisenjve, si në sjelljen etike ashtu edhe në përkushtimin fetar, ndërsa
dashuria e tyre duhet të jetë më e thellë dhe qëllimi i tyre më fisnik se
i fqinjëve të tyre paganë. Te Predikimi në Mal nuk ka asnjë paragraf të vetëm ku nuk mund të
dallohet ky kontrast midis standarteve të krishtera me ato jo të krishtera.
Kjo është tema kryesore dhe ajo bën lidhjen e Predikimit si një i tërë.
Gjithçka tjetër është variant i saj. Në disa raste Jezusi i krahason ndjekësit
e tij me kombet pagane. Paganët e duan dhe e përshëndetin njëri-tjetrin, por
të krishterët duhet të duan edhe armiqtë e tyre (5:44-47); paganët luten
sipas mënyrës së tyre duke bërë përsëritje të kota, por të krishterët
duhet të luten me përulje duke ditur se janë bij të Atit të tyre që është
në qiell (6:7-13); paganët shqetësohen për nevojat materiale, por të
krishterët duhet të kërkojnë së pari mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë
(6:32-33). Në disa raste të tjera Jezusi i vë dishepujt e tij në kontrast jo me
paganët por me çifutët, d.m.th. me njerëzit fetarë, veçanërisht me skribët
dhe farisenjtë. Profesor Jeremias padyshim që ka të drejtë kur i përcakton
këta si "dy grupe plotësisht të ndryshme", sepse skribët ishin mësuesit
e teologjisë që kishin studiuar për disa vjet, ndërsa farisenjtë nga ana
tjetër nuk ishin teologë, por ishin më tepër njerëz të përkushtuar ndaj
fesë nga çdo pjesë e komunitetit (f. 23). Sigurisht që Jezusi i ngre moralet
e krishtera mbi normat etike të skribëve (5:21-48) dhe përkushtimin e
Krishterë mbi hipokrizinë fetare të farisenjve (6:1-18). Kështu kisha e Krishterë duhet të jetë e ndryshme edhe nga kisha
formale edhe nga bota, e ndryshme edhe nga fetarët edhe nga jofetarët.
Predikimi në Mal është përmbledhja më e plotë në të gjithë DhR e Kundër-Kulturës
së krishterë. Këtu ka një sistem vlerësimi, standarti etik, përkushtimi
fetar, qëndrimi ndaj parasë, qëllimit dhe mënyrës së jetesës dhe marrëdhënieve
me njerëzit, të cilat janë të gjitha plotësisht të ndryshme nga ato të
botës jo të krishterë. Kjo kundër-kulturë e krishterë është jeta e mbretërisë
së Perëndisë, e cila edhe pse është një jetë plotësisht njerëzore,
jetohet nën drejtimin hyjnor. Tani ne do të kalojmë te hyrja që i bën Mateu Predikimit në Mal, e
cila është e shkurtër, por mbresëlënëse. Ajo tregon rëndësinë që ai
donte t'i jepte këtij Predikimi.
Dhe ai kur pa turmën
u ngjit në mal dhe pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij. Atëherë ai hapi gojën
dhe i mësoi duke thënë (5:1, 2). Nuk
ka aspak dyshim se qëllimi kryesor, që Jezusi u ngjit në kodër apo në mal për
të dhënë mësim, ishte të largohej nga "turmat
e mëdha ... nga Galilea, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judea dhe nga përtej
Jordanit" (Mt 4:25), që po i shkonin pas. Ai i kishte kaluar muajt e
parë të shërbimit të tij publik duke u endur nëpër Galile "duke
dhënë mësim në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe
duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull". Dhe kështu
"fama e tij u përhap në gjithë
Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata të
ndryshme" (Mt 4:23-24). Prandaj ai duhej të largohej jo vetëm për të
siguruar mundësinë për të qënë i vetëm për t'u çlodhur dhe për t'u
lutur, por edhe për t'iu dhënë udhëzime më të veçanta dishepujve të tij. Më pas, (siç kanë sugjeruar shumë komentues të hershëm dhe modernë)
ka mundësi që ai u ngjit qëllimisht në mal për të dhënë mësim, për të
skicuar një paralele midis Moisiut, i cili e mori ligjin te mali Sinai, dhe
vetes së tij. Ai u shpjegoi dishepujve implikimet e këtij ligji tek i quajturi
"Mali i Lumturive", që është skena tradicionale e Predikimit në
bregun verior të liqenit të Galilesë. Edhe pse Jezusi ishte më i madh se
Moisiu dhe edhe pse mesazhi i tij ishte më tepër ungjill se ligj, Ai zgjodhi
dymbëdhjetë apostuj si bërthamën e Izraelit të Ri që t'u përngjnte
patriarkëve dhe fiseve të kohës së lashtë. Ai gjithashtu pretendoi të
ishte edhe mësues edhe Zot, dhe bëri interpretimin e tij autoritar të Ligjit
të Moisiut, dha urdhëresa dhe kërkoi bindje. Madje më vonë Ai i ftoi
dishepujt të pranonin "zgjedhën" e tij ose t'i nënshtroheshin mësimit
të tij, ashtu siç kishin mbajtur më parë "zgjedhën" e Ligjit
(Torah) (Mt 11:29, 30). Disa studiues kanë ndërtuar skema tepër të përpunuara për ta
demonstruar këtë paralele. B. W. Bacon në 1918 p.sh. sugjeroi se Mateu e ndërtoi
qëllimisht Ungjillin e tij në pesë pjesë, ku secila përfundon me frazën
"kur Jezusi kishte mbaruar ..."
(7:28; 11:1; 13:53; 19:1; 26:1), në mënyrë që "pesë librat e Mateut"
të korespondonin me "pesë librat e Moisiut", dhe në këtë mënyrë
të bëheshin një lloj "Pesëlibërshi i Dhiatës së Re". [Teorisë
së B. W. Bacon i është bërë një përmbledhje dhe kritikë nga W. D.
Davies, f. 15:25] Një paralelizëm tjetër është sugjeruar nga Austin Farrer, që thotë
se Mateu 5-7 është ndërtuar sipas modelit të Eksodit 20-24, ku tetë
lumturitë korespondojnë me dhjetë urdhëresat, dhe pjesa tjetër e Predikimit
i shpjegon dhe i aplikon ato, ashtu siç shpjegohen dhe aplikohen edhe urdhëresat.
[Teorisë së Austin Farrer i është bërë kritikë nga W. D. Davies në f.
9-13] Këto përpjekje krijuese për të gjetur paralele janë të kuptueshme,
sepse në shumë pasazhe të Dhjatës së Re, vepra shpëtuese e Jezusit është
portretizuar si një eksod i ri (Mt 2:15) dhe jeta e krishterë si një festim i
gëzuar i tij: "Se dhe qengji ynë i
pashkës, Krishti, u flijua për ne (Lea).
Prandaj le të kremtojmë festën" (L.M; 1Kor 5:7, 8). Por megjithatë
Mateu nuk e krahason hapur Jezusin me Moisiun, dhe ne nuk mund të pretendojmë
më tepër se te Predikimi në Mal "përmbajtja e Ligjit të Ri, Sinait të
Ri dhe Moisiut të Ri, janë të pranishëm" (Davies, f. 108). Sidoqoftë, Jezusi u ul, duke
marrë pozicionin e një rabini ose ligjëvënësi dhe dishepujt e tij i erdhën pranë për të dëgjuar mësimin e tij. Pastaj ai hapi
gojën (një shprehje që tregon rëndësinë e fjalëve të tij) dhe i mësoi ata. Në mendjen e një lexuesi të sotëm që studion Predikimin në Mal do të
lindnin menjëherë tri pyetje kryesore. Lexuesi nuk do t'i pranonte mësimet e
tij derisa të marrë përgjigje të kënaqëshme për këto pyetje. Së pari: A është Predikimi në Mal një predikim origjinal i
Jezusit? A e predikoi ai me të vërtetë atë? Së
dyti: A përshtatet përmbajtja e tij me botën e sotme apo mos i ka kaluar
koha? Së treti: A janë standartet e
tij të arritshme apo mos duhet t'i shohim ato thjeshtë si një ideal utopik (jopraktik)
?
1. A është autentik
ky predikim?
Predikimi
në Mal gjendet vetëm në Ungjillin e parë (te Mateu). Në Ungjillin e tretë
(të Lukës) gjendet një predikim i ngjashëm, i cili është quajtur ndonjëherë
"Predikimi në Fushë" (Lk 6:17-49). Luka thotë se ky predikim u bë
në "një vend të sheshtë" tek i cili Jezusi erdhi pasi kishte qënë
në mal për t'u lutur (Lk 6:12, 17). Por ky ndryshim përsa i përket
vendndodhjes nuk duhet të na shqetësojë, sepse vendi i sheshtë mund të mos
ketë qënë një fushë apo luginë, por një lëndinë në majë të malit. Një krahasim i përmbajtjes së dy predikimeve zbulon menjëherë se ata
nuk janë identikë. Versioni i Lukës është shumë më i shkurtër, vetëm 30
vargje, në kontrast me 107 vargjet e versionit të Mateut, dhe secili përmban
material që nuk gjendet te tjetri. Megjithatë midis tyre ka shumë ngjashmëri
të dukshme. Të dy predikimet fillojnë me "lumturitë, mbarojnë me shëmbëlltyrën
e dy ndërtuesve", dhe në mes kanë rregullin e artë, dashurinë ndaj
armiqve dhe kthimin e faqes tjetër, ndalimin e gjykimit të njerëzve të tjerë,
ilustrimin jetësor të traut ose halës, të pemës dhe fryteve të saj. Ky
material i përbashkët si edhe fillimi dhe mbarimi i njëjtë, sugjerojnë se këta
të dy janë versione të të njëjtit predikim. Por cila është lidhja midis
tyre? Si duhet ta shpjegojmë ndërthurjen e ngjashmërisë dhe të ndryshimeve? Shumë njerëz kanë mohuar që Predikimi në Mal të ketë qënë në të
vërtetë një mesazh i predikuar nga Jezusi në një rast të veçantë. Një
ndër karakteristikat më të njohura të punës editoriale të ungjilltarit të
parë është bashkimi në një përmbledhje i disa mësimeve të Jezusit që
kanë lidhje me njëri-tjetrin. Një shembull i qartë është seria e shtatë
shëmbëlltyrave të Zotit tonë (Mt 13). Prandaj disa kanë sugjeruar se Mateu
5-7 paraqet një grumbullim të thënieve të Jezusit, që janë endur me mjeshtëri
në formën e një predikimi nga ungjilltari ose nga një komunitet i hershëm i
krishterë nga i cili ai e mori atë. Madje edhe Kalvini e besonte këtë gjë:
"Qëllimi i të dy ungjilltarëve ishte të mblidhnin në një vend pikat
kryesore të doktrinës së Krishtit që lidheshin me një jetë të devotshme
dhe të shenjtë" (f. 258). Prandaj Predikimi është "një përmbledhje
e shkurtër ... e marrë nga shumë predikime të ndryshme të tij" (f.
259). Disa komentues modernë kanë qënë më kritikë. Një shembull duhet të
jetë i mjaftueshëm. W. D. Davies e quan Predikimin "vetëm një përmbledhje
e thënieve të palidhura me njëra-tjetrën, që vjnë nga burime të ndryshme,
pra një arnim". Pas një demonstrimi të kritikës së origjinës, nga
kritika e formës dhe kritika liturgjike, ai konkludon: "Në këtë mënyrë
ndikimi i kritikës moderne në të gjithë format e saj sjell ngritjen e
dyshimit për saktësinë e kuptimit të kësaj pjese ... si një njësi e plotë
që buron nga mësimi origjinal i Jezusit (f. 1, 5). Më vonë ai pranon se
prirja është kthyer drejt të ashtuquajturës kritikë redaktimi, e cila të
paktën i quan vetë ungjilltarët si autorët e vërtetë që i dhanë formë
traditës që po ruajnë. Por megjithatë ai nuk ishte i bindur për sasinë e mësimeve
të vërteta të Jezusit që gjenden te Predikimi në Mal. Reagimi i çdokujt ndaj kësaj lloj kritike, varet nga mendimet themelore
teologjike të tij për vetë Perëndinë, për natyrën dhe qëllimin e zbulesës
së tij në Krishtin, për veprimin e Frymës së Shenjtë dhe kuptimin e së vërtetës
nga ungjilltari. Personalisht unë e kam të vështirë të pranoj çdo pikpamje
rreth Predikimit që ia atribuon përmbajtjen e tij më tepër kishës së
hershme se vetë Jezusit, ose që e shikon atë si një përmbledhje të thënieve
të tij të marra nga predikime të ndryshme. Arsyeja kryesore është se Mateu
dhe Luka e prezantojnë atë si një predikim të Krishtit, dhe duket se kërkojnë
që edhe lexuesit ta shohin si të tillë. Të dy japin një kontekst të saktë
historik dhe gjeografik, duke e vendosur atë në regjistrimin e shërbesës së
hershme në Galile, dhe fillojnë duke thënë se ai e bëri këtë predikim në
"mal" ose në "një vend të sheshtë" në kodër. Mateu
regjistron habitjen e turmës kur Jezusi përfundoi predikimin, veçanërisht për
shkak të autoritetit me të cilin kishte folur ai (Mt 7:28-29). Dhe të dy thonë
se kur mbaroi predikimin, ai hyri në Kapernaum (Mt 8:15; Lk 7:1). Por kjo nuk do të thotë se të dy ungjilltarët na japin një
regjistrim fjalë për fjalë të të gjithë predikimit. Është e qartë që
ata nuk e bëjnë këtë gjë, sepse në fund të fundit Jezusi foli në
aramaisht dhe të dy ungjijtë na japin një përkthim në greqisht. Përveç kësaj,
siç e kemi parë më lart, versionet e tyre ndryshojnë nga njëri-tjetri. Ka
disa mënyra të mundshme për ta shpjeguar këtë gjë. Ose të dy japin përzgjedhjet
dhe përkthimet individuale, qoftë nga i njëjti burim apo nga burime të
ndryshme, ose Luka jep një përmbledhje të shkurtër duke lënë pa
regjistruar një pjesë të madhe, ndërsa Mateu regjistron më tepër, nëmos
pjesën më të madhe të tij. Ose Mateu përpunon një predikim origjinal më të
shkurtër duke i shtuar atij nga kontekste të tjera thënie të mirëfillta të
Jezusit që përshtateshin me këtë predikim. Ne përsëri mund të pohojmë se
Fryma e Shenjtë e udhëhoqi përzgjedhjen dhe skicimin e materialit. Për veten time unë parapëlqej sugjerimin e bërë nga Profesor A. B.
Bruce në komentarin e tij të vitit 1897. Ai besonte se materiali që gjendet
tek Mateu 5-7 prezanton jo udhëzimet e një ore apo dite të vetme, por të një
periudhe kohe. Ai sugjeroi se Jezusi mund të kishte qënë në mal me dishepujt
për një lloj "shkolle biblike verore". Prandaj ai nuk i quajti këta
kapituj si "Predikimi në Mal
i Zotit tonë" (një shprehje kjo e përdorur për herë të parë nga
Agustini), por si "Mësimet në Kodër" (f. 95). Për më tepër,
Predikimi siç regjistrohet nga Mateu duhej të ketë zgjatur rreth 10 minuta,
prandaj mund të merret me mend se ato që na japin ungjilltarët janë përmbledhjet
e tyre të koncentruara.
2. A është i përshtatshëm ky Predikim për kohën e
sotme?
Për
të gjykuar nëse Predikimi përshtatet apo jo me jetën e sotme, ne duhet të
shqyrtojmë në detaje përmbajtjen e tij. Ajo që na befason fillimisht është
se sido që të jetë ndërtuar predikimi, ai shfaq një lidhje të
mrekullueshme si një i tërë. Ai përshkruan sjelljen që Jezusi pret nga çdo
dishepull i tij, që është edhe një qytetar i mbretërisë së Perëndisë.
Ne e shikojmë atë ashtu siç është në veten e tij, në zemrën, motivet dhe
mendimet, në "vendin e fshehtë" me Atin e tij. Ne e shohim atë edhe
në jetën shoqërore, në lidhjet e tij me njerëzit e tjerë, ku ai tregon mëshirë,
përpiqet të sjellë paqe, persekutohet, vepron si kripa, lë dritën e tij të
ndriçojë, i do dhe u shërben të tjerëve (madje edhe armiqve të tij), dhe
ia përkushton jetën e tij mbi të gjitha shtrirjes së mbretërisë dhe drejtësisë
së Perëndisë në botë. Ndoshta një analizë e shkurtër e Predikimit do të
na ndihmojë të demonstrojmë se ai është i përshtatshëm për ne që jetojmë
në shekullin e njëzetë.
a. Një karakter i
krishterë (5:3-12) "Lumturitë"
theksojnë tetë shenja kryesore të karakterit dhe sjelljes së krishterë, veçanërisht
në lidhje me Perëndinë dhe njerëzit, si edhe bekimin hyjnor që qëndron tek
ata që shfaqin këto shenja.
b. Një ndikim i
krishterë (5:13-16) Dy
metaforat e kripës dhe dritës tregojnë ndikimin e mirë që duhet të
ushtrojnë të krishterët në komunitet, në qoftë se (dhe vetëm në qoftë
se) ata e ruajnë karakterin e tyre të veçantë (të dallueshëm) ashtu siç
pasqyrohet te lumturitë.
c. Një drejtësi e
krishterë (5:17-48) Cili
duhet të jetë qëndrimi i të krishterit ndaj ligjit moral të Perëndisë? A
anullohet vetë kategoria e ligjit në jetën e krishterë, siç pohojnë çuditërisht
mbrojtësit e "moralit të ri" dhe të shkollës "jo më nën
ligj"? Jo. Jezusi tha se ai nuk kishte ardhur për të mohuar ligjin dhe
profetët, por për ta përmbushur atë. Ai tha se madhështia në mbretërinë
e Perëndisë përcaktohej nga përputhja me mësimet morale të ligjit dhe
profetëve, dhe madje se hyrja në mbretëri ishte e pamundur pa një drejtësi
më të madhe se ajo e skribëve dhe farisenjve (5:17-20). Për këtë drejtësi më të madhe të krishterë, ai dha më pas gjashtë
ilustrime në lidhje me vrasjen, tradhëtinë bashkëshortore, divorcin, betimin,
hakmarrjen dhe dashurinë. Në çdo antitezë (Ju
keni dëgjuar se qe thënë ... por unë po ju them) ai mohoi traditën sipërfaqësore
të skribëve, rikonfirmoi autoritetin e Shkrimit të Dhjatës së Vjtër dhe
nxori implikimet e plota që kërkonte ligji moral i Perëndisë.
d. Një përshpirtshmëri
e krishterë (6:1-18) Në
"përshpirtshmërinë" apo në përkushtimin e tyre fetar, të
krishterët nuk duhet t'i ngjajnë as shfaqjes hipokrite të farisenjve, as
formalizmit mekanik të paganëve. Përshpirtshmëria e krishterë duhet të
karakterizohet nga realiteti, nga sinqeriteti i bijve të Perëndisë që jetojnë
në prezencën e Atit të tyre qiellor.
e. Një pikësynim i
krishterë (6:19-34) Të
krishterët duhet të shmangin "të qënët si bota", e cila mund të
marrë edhe formë fetare edhe jofetare. Kështu ne duhet të ndryshojmë nga jo
të krishterët jo vetëm në përkushtimin tonë, por edhe në pikësynimet
tona. Në mënyrë të veçantë Krishti ndryshon qëndrimin tonë ndaj pasurisë
dhe pronësisë materiale. Është e pamundur të adhurosh edhe Perëndinë edhe
paranë. Ne duhet të zgjedhim midis tyre. Njerëzit jofetarë janë të
preokupuar për ushqimin, pijen dhe veshjen. Të krishterët duhet të çlirohen
nga këto shqetësime materiale për veten, për t'iu përkushtuar përhapjes së
mbretërimit dhe drejtësisë së Perëndisë. Kjo do të thotë që pikësynimi
ynë më i lartë duhet të jetë lavdia e Perëndisë dhe jo lavdia jonë ose
mirëqënia jonë personale. Kjo varet nga "çfarë kërkojmë më së pari".
f. Marëdhëniet e një
të krishteri (7:1-20) Të
krishterët përfshihen në një rreth të gjerë marrëdhëniesh, ku secila
lind nga marrëdhënia jonë me Krishtin. Kur lidhemi siç duhet me të, të
gjitha marrëdhëniet e tjera ndikohen prej tij. Marrëdhënie të reja krijohen
dhe ato të vjetrat ndryshohen. Kështu ne nuk duhet ta gjykojmë vëllanë tonë,
por duhet t'i shërbejmë atij (1-5). Ne gjithashtu nuk duhet të vazhdojmë
t'iu ofrojmë ungjillin atyre që e kanë mohuar plotësisht atë (6), duhet të
vazhdojmë t'i lutemi Atit tonë qiellor (7-12) dhe të ruhemi nga profetët e
rremë, të cilët i pengojnë njerëzit të gjejnë derën e ngushtë dhe rrugën
e vështirë (13-20).
g. Një përkushtim i
krishterë (7:21-27) Çështja
përfundimtare që prezantohet nga i gjithë Predikimi ka të bëjë me
autoritetin e predikuesit. Nuk mjafton ta quash atë "Zot" (21-23) apo
të dëgjosh mësimet e tij (24-27). Çështja kryesore është nëse e themi atë
që mendojmë dhe e bëjmë atë që dëgjojmë. Tek ky përkushtim varet fati
ynë i përjetshëm. Vetëm njeriu që i bindet Krishtit si Zot është i mençur,
sepse vetëm ai po e ndërton shtëpinë e tij në një themel shkëmbor, të
cilin nuk mund ta shkatërrojë as stuhia, as fatkeqësia dhe as gjykimi. Turma u habit nga autoriteti me të cilin predikonte Jezusi (28-29). Ky
është autoriteti të cilit duhet t'i nënshtrohen të krishterët e të gjitha
kohërave. Çështja e autoritetit të Krishtit si Zot është sot po aq e përshtatshme,
si në parim ashtu edhe në aplikimin e detajuar, sa ç'ishte atëherë kur ai
vetë predikoi të quajturin "Predikimi në Mal".
3. A është praktik
ky Predikim? Kjo
pyetje e tretë bëhet nga pragmatistët. Të jesh i bindur që Predikimi është
i përshtatshëm në teori, është një gjë, por të jesh i sigurt se ai mund
të vihet në praktikë, është një gjë tjetër. A janë standartet e tij të
arritshme apo duhet t’i admirojmë ato duke i parë nga larg me trishtim? Ndoshta një shumicë lexuesish dhe komentuesish, duke parë realitetin e
degradimit njerëzor ashtu siç është, i kanë quajtur standartet e Predikimit
në Mal si të paarritshme. Ata thonë se idealet e tij janë madhështore por
jopraktike, tërheqëse për imagjinatën, por të pamundura për t'u realizuar.
Ata e njohin disi këmbënguljen e egoizmit të njeriut; atëherë, si mund të
jetë ai zemërbutë? Ata e njohin pasionin e zjarrtë seksual të tij; atëherë,
si mund të heqë dorë ai nga shikimet dhe mendimet epshore? Ata e dinë se ai
është plotësisht i zhytur në kujdesjet e kësaj bote; atëherë si mund ta
ndalosh të shqetësohet? Ata e njohin prirjen e tij drejt zemërimit dhe etjen
e tij për hakmarrje; atëherë si mund të presim që ai të dojë armiqtë e
tij? Por ka më tepër se kaq. A nuk është kërkesa për t'i kthyer faqen tjetër
dikujt që të sulmon, po aq e rrezikshme ndaj të mirës së shoqërisë sa ç'është
edhe përtej mundësive njerëzore individuale? Mirëpritja e dhunës së mëtejshme
jo vetëm që e lë të pa kontrolluar, por madje e inkurajon më tepër atë.
Jo! Predikimi në Mal nuk ka vlerë praktike as për individët, as për
komunitetet! Shumë shumë ai prezanton një idealizëm jopraktik të një ëndërrimtari.
"Kjo është një ëndërr që nuk mund të bëhet kurrë realitet" -
thonë ata. Një modifikim i kësaj pikëpamjeje, i shprehur fillimisht nga Wohannes
Weiss në 1892 dhe që më vonë u popullarizua nga Albert Schweitzer, është
se Jezusi po bënte kërkesa të jashtëzakonshme për një situatë të jashtëzakonshme.
Ata besonin se Jezusi po priste që fundi i historisë njerëzore të vinte
pothuajse menjëherë, prandaj u përpoqën të argumentojnë se ai po u jepte
dishepujve të tij një "etikë të përkohëshme". Kjo etikë kërkonte
që ata të bënin sakrifica të jashtëzakonshme si p.sh. të hiqnin dorë nga
pasuria dhe pronat dhe të donin armiqtë e tyre, sakrifica këto që ishin të
përshtatshme vetëm për atë moment krize. Në këtë rast Predikimi në Mal bëhet
një lloj "ligji ushtarak" (Kjo shprehje është e Jeremias, f. 14), të
cilin mund ta justifikonte vetëm një ngutshmëri shumë e madhe. Është
theksuar se kjo nuk është një etikë për jetën e përditëshme. Ka patur edhe shumë përpjekje të tjera për t'ia përshtatur
Predikimin në Mal niveleve të ulëta të arritjeve tona morale. Harvey
McArthur në kapitullin e katërt dhe të pestë të librit të tij "Të
kuptojmë Predikimin në Mal", së pari analizon dhe pastaj numëron jo
më pak se dymbëdhjetë mënyra të ndryshme për interpretimin e Predikimit në
Mal (f. 105-148). Ai thotë se mund ta kishte titulluar këtë kapitull "Versionet
dhe shmangiet e Predikimit në Mal", sepse vetëm një nga të dymbëdhjetë
interpretimet ofron cilësitë e urta të kërkesave (në dukje) absolute të
tij. Në ekstremin e kundërt janë ata njerëz sipërfaqësorë që pohojnë
lehtësisht se Predikimi në Mal shpreh standartet etike që janë në vetvete të
vërteta, të njëjta për të gjitha fetë dhe të lehta për t'u zbatuar. Ata
thonë se jetojnë sipas Predikimit në Mal. Reagimi më dashamirës ndaj njerëzve
të tillë është të mendosh se ata nuk e kanë lexuar asnjëherë Predikimin
për të cilin janë të sigurt se është fare i zakonshëm. Një qëndrim shumë
më i ndryshëm nga ky është ai i Leon Tolstoit, edhe pse ai besonte se
Predikimi kërkonte bindje. Është e vërtetë se ai e shihte veten si plotësisht
të dështuar, por përsëri besonte se urdhëresat e Jezusit mund të viheshin
në praktikë. Kjo është arsyeja që ai vuri bindjet e tij në gojën e
princit Nekhlyudov, heroit të romanit Ringjallja, që ishte vepra e fundit më
e madhe e tij e botuar në 1899-1900. Princi i Tolstoit është njohur gjerësisht si një portret i vetes së
tij, edhe pse ky autoportret është paksa i maskuar. Në fund të romanit
Nekhlyudov-i e rilexoi ungjillin e Mateut. Ai nuk pa te Predikimi në Mal
mendime të bukura abstrakte që në pjesën më të madhe prezantonin kërkesa
të larta dhe të pamundura, por urdhëresa të thjeshta, të qarta dhe
praktike, të cilave po t'iu bindesh (dhe kjo ishte plotësisht e mundur) do të
vendosnin një rregull plotësisht të ri në shoqërinë njerëzore, në të
cilën furria që e kishte mbushur Nekhlyudovin me një zemërim të tillë jo
vetëm që do të shuhej vetvetiu, por bekimi më i madh që mund të shpresojë
njeriu, mbretëria e Perëndisë në tokë, do të mund të arrihej.
Nekhlyudovi po qëndronte duke vështruar dritën e kandilit që po
digjej nga pak dhe zemra e tij pushoi së rrahuri. Duke sjellë ndër mend gjithë
konfuzionin monstruoz të jetës që bëjmë, ai filloi të imagjinonte se si do
të kishte qënë kjo jetë, në qoftë se njerëzit do të mësonin t'iu
bindeshin këtyre urdhëresave, dhe shpirti i tij u përpi në një ekstazë të
tillë që ai nuk e kishte ndjerë prej kohësh. Dukej sikur pas një periudhe të
gjatë shtrëngimi dhe vuajtjeje, ai kishte gjetur papritur paqe dhe çlirim. Ai nuk fjeti atë natë dhe siç iu ndodh shumë njerëzve kur lexojnë
ungjillin, për herë të parë i kuptoi plotësisht fjalët që lexoi, të
cilave rrallë herë u kishte kushtuar rëndësi
në të kaluarën. Si sfungjeri që thith ujin, ai thithi të gjithë lajmin
e rëndësishëm, jetik dhe të gëzueshëm që i zbuloi ai libër. Dhe gjithçka
që lexoi iu duk e njohur, duke e konfirmuar dhe bërë të qartë atë që ai e
kishte ditur prej kohësh, por që asnjëherë nuk e kishte kuptuar plotësisht
dhe as nuk e kishte besuar me të vërtetë. Por tani ai kuptoi dhe besoi ... Ai i tha vetes : "Kërko më se pari mbretërinë e Perëndisë dhe
drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do të të jepen". Por ne i
kërkojmë të gjitha këto gjëra dhe nuk mund t'i arrijmë dot. "Atëherë kjo duhet të jetë puna e jetës time. Një punë është
përfunduar dhe një tjetër është pothuajse në dorën time". Atë natë filloi një jetë e re për Nekhlyudovin, jo sepse ai kishte
hyrë në kushte të reja të jetës, por se gjithçka që i ndodhi që nga ajo
kohë, ishte veshur me një kuptim plotësisht të ndryshëm për të. Si do të
përfundojë ky kapitull i ri i jetës së tij do ta tregojë e ardhmja.
(Penguin Classics, 1966, f. 566-568)
Tolstoi mishëroi në jetën e tij tensionin midis idealit dhe
realitetit. Nga njëra anë ai ishte i sigurt se bindja ndaj Predikimit në Mal
ishte "plotësisht e mundur", ndërsa nga ana tjetër jeta e tij e dobët
i tregoi se nuk ishte kështu. E vërteta nuk qëndron në asnjërin qëndrim
ekstrem, sepse standartet e Predikimit në Mal as nuk arrihen vetvetiu nga çdo
njeri, dhe as nuk janë plotësisht të paarritshme nga të gjithë njerëzit.
Po të mendojmë se standartet e tij janë të paarritshme nga të gjithë, atëherë
ne do të harrojmë qëllimin që kishte Krishti kur bëri këtë Predikim. Po të
mendojmë se këto standarte janë të arritshme nga të gjithë, kjo do të
thotë të mohojmë realitetin e mëkatit njerëzor. Ato janë të arritshme,
por vetëm nga ata që kanë përjetuar rilindjen shpirtërore, për të cilën
Jezusi i tha Nikodemit se ishte një kusht i pashmangshëm për të parë dhe për
të hyrë në mbretërinë e Perëndisë. Drejtësia që përshkruan ai në
Predikim është një drejtësi e brendshme. Edhe pse ajo shfaqet në formë të
jashtme dhe të dukshme nëpërmjet fjalëve, veprave dhe marrëdhënieve, përsëri
ajo mbetet një drejtësi e zemrës. Ajo që ka rëndësi është ajo që mendon
njeriu dhe ku e vendos zemrën e tij (Mt 5:28; 6:21). Pikërisht këtu qëndron
problemi, sepse njerëzit janë të ligj nga natyra (Mt 7:11). Nga zemra e tyre
dalin gjërat e këqia (Mk 7:21-23) dhe nga zemra flet goja e tyre, ashtu siç
jep pema frytet e saj. Prandaj ka vetëm një zgjidhje: Bëje pemën të mirë
dhe atëherë frytet e saj do të jenë të mira. (Mt 7:16-20; 12:33-37)
Rilindja është e domosdoshme. Vetëm një besim në domosdoshmërinë dhe mundësinë e rilindjes mund
të na ndalojë ta lexojmë Predikimin në Mal me optimizëm prej budallai apo
me dëshpërim të pashpresë. Jezusi ua bëri këtë Predikim atyre që ishin
dishepuj të tij dhe në këtë mënyrë edhe qytetarë të mbretërisë së Perëndisë
dhe fëmijë të familjes së Perëndisë (5:16,48; 6:9,32,33; 7:11). Standartet
e larta që vendosi ai janë të mundshme vetëm për këta njerëz. Ne nuk e
marrim dhe në të vërtetë nuk mund ta marrim këtë status të privilegjuar
duke u përpjekur të arrijmë standartet e Krishtit. Por duke i arritur
standartet e tij, ose të paktën duke iu afruar atyre, ne japim prova të asaj
që tashmë jemi nëpërmjet hirit që na është dhënë falas nga Perëndia.
Përmbajtja
Hyrja
e përgjithshme Hyrja
e autorit Hyrje:
Ç'është ky predikim? 5:1,2 Karakteri i një të krishteri:
lumturitë 5:3-12 Ndikimi i një të krishteri: kripë
dhe dritë 5:13-16 Drejtësia e një të krishteri: Krishti,
i krishteri dhe ligji 5:17-20 Drejtësia e një të krishteri: shmangia
e zemërimit dhe epshit 5:21-30 Drejtësia e një të krishteri:
ndershmëria
në martesë dhe ndershmëria në të folur 5:31-37 Drejtësia e një të krishteri: mosshpagimi
dhe dashuria aktive 5:38-48 Feja e një të krishteri: jo
hipokrite, por e vërtetë 6:1-6, 16-18 Lutja e një të krishteri: jo
mekanike, por e menduar 6:7-15 Ambicja
e një të krishteri: jo
siguria materiale por sundimi i Perëndisë 6:19-34 Marrëdhëniet e një të
krishteri: me vëllezërit e
tij dhe me Atin e tij 7:1-12 Marrëdhëniet e një të
krishteri: me profetët e rremë
7:13-20 Përkushtimi i një të krishteri:
zgjedhja radikale 7:21-27 Konkluzion:
kush është ky predikues? 7:28, 29
|
BESELIDHJA PublishingKP 2907 Tirana Rmano@albmail.com |